Prokuroria e Tiranës ka çuar në gjyq biznesmenin italian Giovanni Telesca, administrator i “Euro Beton 2005”, dhe vetë kompaninë, me akuzat për mashtrim, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash. Hetimet disa mujore kanë çuar në sekuestrimin e rreth 10 milionë eurove pasuri të shoqërisë, e cila rezulton e sekuestruar po ashtu që prej muajit maj me vendim të Gjykatës së Tiranës.
Organi i akuzës thotë se Telesca dyshohet se merrte lëndë të para për prodhimin e betonit duke u premtuar furnitorëve pagesa ose apartamente. Por sipas Prokurorisë pasi siguronte mallin, ai nuk kryente pagesat ndaj furnitorëve.
“Nga hetimet dyshohet se ky shtetas përmes ‘Euro Beton 2005’ sh.p.k., ka përfituar lëndë të parë nga subjekte të ndryshme ekonomike, duke premtuar pagesa ose apartamente, e më pas duke mohuar furnizimet dhe detyrimet”, thotë Prokuroria e Tiranës.
Ka qenë kallëzimi i një tjetër biznesmeni që çoi në zbardhjen e skemës së mashtrimit, atij të Altin Mamicës, administrator i kompanisë “Met Hasani” që furnizonte shoqërinë në fjalë me rërë e granil.
Sipas mediave, Mamica pretendon për një dëm rreth 89.8 milionë lekë dhe në kallëzimin që ka bërë në Prokurorinë e Tiranës ai ka deklaruar se italiani Telesca fillimisht e pranoi detyrimin ndaj tij, por më pas refuzoi të paguante faturat.
Nga ana e tij, Telesca ka deklaruar se furnizimet gjatë kohës që ai administronte kompaninë shoqëroheshin me fatura fiskale dhe se pagesat ndaj furnitorit nuk ishin kryer pasi priteshin të ardhura nga palë të treta. Për furnizimet e kryera përpara se të merrte administrimin, italiani ka pretenduar se nuk kishte dijeni.
Sipas Prokurorisë, lëndët e para që siguroheshin nga furnitorët përdoreshin për të prodhuar beton, i cili më pas shitej në treg.
“Lëndët e para janë përdorur për prodhimin dhe shitjen e betonit. Dyshohet se furnizimet e pafiskalizuara dhe shitja e betonit kanë shërbyer për fshehjen e të ardhurave dhe ligjërimin e përfitimeve të paligjshme”, thotë Prokuroria.
Telesca dyshohet se një pjesë të parave të përfituara i nxirrte nga Shqipëria pa i deklaruar në kufi dhe i investonte në pasuri të luajtshme e të paluajtshme në Itali.
Në maj, ndaj kompanisë u vendos sekuestro, ndërsa Telesca e mbajti detyrën e administratorit deri në qershor. Mes pasurive të sekuestruara janë një pallat, katër sipërfaqe toke arë me rreth 2 500 metra katrorë në total dhe tri njësi tregtare. Si edhe betoniere, pompa betoni dhe mjete transporti.
“Euro Beton 2005” është një ndër kompaitë kryesore në vend të prodhimit të betonit, e cila rezulton në pronësi të Pietro Telescës, Bujar Gazhelit dhe Arjan Ormenajt.
Sekuestrohen 8 pasuri të paluajtshme
Tokë arë, me sipërfaqe 560 m²;
Pallat, me sipërfaqe 2780 m², si dhe 914 m² ndërtim;
Tokë arë me sipërfaqe 1580 m²;
Tokë arë me sipërfaqe 310 m²;
Njësi, me sipërfaqe 71.5 m²;
Tokë arë me sipërfaqe 63 m², në bashkëpronësi të shoqërisë “EURO BETON 2005” sh.p.k.
Njësi, me sipërfaqe 61.6 m², vol. 30, fq. 52, ZK 8160;
Njësi, me sipërfaqe 138.84 m², vol. 19, fq. 235, ZK 8180.

Biznesmeni italian Giovanni Telesca
Njoftimi i plotë i Prokurorisë
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin italian Giovanni Telesca, dhe ‘Euro Beton 2005’ sh.p.k., të akuzuar për veprat penale të ‘Mashtrimit’, ‘Fshehja e të ardhurave’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale’ të parashikuar nga nenet 143/3, 180/3 dhe 287 të Kodit Penal dhe sekuestron 10 milionë euro pasuri.
Pas një hetimi disa mujor të ndjekur me metoda speciale, në kuadër të procedimit penal nr.1718, viti 2026. u morën të pandehur dhe u përfunduan hetimet për shtetasin Italian Giovanni Battista Telesca dhe personi juridik “Euro Beton 2005”.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas përmes “Euro Beton 2005” sh.p.k., ka përfituar lëndë të parë nga subjekte të ndryshme ekonomike, duke premtuar pagesa ose apartamente, e më pas duke mohuar furnizimet dhe detyrimet. Lëndët e para janë përdorur për prodhimin dhe shitjen e betonit. Dyshohet se furnizimet e pafiskalizuara dhe shitja e betonit kanë shërbyer për fshehjen e të ardhurave dhe ligjërimin e përfitimeve të paligjshme.
Hetimet disa mujore vërtetuan skemën e mashtrimit dhe u vendos sekuestro preventive, ndaj pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të subjektit “EURO BETON 2005”, të cilat kapin vlerën rreth 10.000.000 Euro.
Gjithashtu u sekuestruan pasuri të luajtshme në pronësi të subjektit nën hetim, ne total 25 automjete të tipit betonierë, pombë betoni, transport e pompa betoni.
