Kryesore Politike

“93% e kontratave publike në Shqipëri fitohen nga SME-të”, Rama për Prokurimet Publike: Jemi në një grup me Gjermaninë, Francën dhe Finlandën

"93% e kontratave publike në Shqipëri fitohen nga SME-të", Rama për Prokurimet Publike: Jemi në një grup me Gjermaninë, Francën dhe Finlandën

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria ka shënuar rezultate të larta në fushën e prokurimit publik, duke theksuar se 93% e kontratave publike fitohen nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME).

Sipas tij, në raportin e SIGMA-s, Shqipëria ka marrë 81 pikë nga 100, ndërsa deklaroi se është në të njëjtin grup me Gjermaninë, Francën dhe Finlandën.

Gjatë deklaratës së tij, Rama u ndal te pjesëmarrja e bizneseve të vogla dhe të mesme në prokurimet publike, duke e krahasuar Shqipërinë me vendet e Bashkimit Europian. Sipas kryeministrit, në BE ndërmarrjet e vogla dhe të mesme fitojnë vetëm 46% të kontratave, ndërsa në Shqipëri kjo shifër arrin në 93%.

“Shqipëria gjendet në një shoqëri shumë të lartë sa i përket prokurimit publik, në të njëjtin grup me Gjermaninë, Francën e Finlandën. Nën mesataren e BE-së në aspektin pozitiv. Një tjetër element i rëndësishëm që natyrisht nuk shihet dhe nuk dëgjohet në zhurmën dhe mjegullën e avazeve të përsëritura për vendin, që vetëm një grusht njerëzish kanë akses në fondet publike, 93% e kontratave në Shqipëri fitohen nga SME-të, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Ndërkohë, në BE, SME-të fitojnë vetëm 46% të kontratave, normalisht që struktura ekonomike e BE-së është tjetër.

Një tjetër tymnajë e madhe e indikatorit të tenderave pa garë zhbëhet plotësisht po të shohësh se Shqipëria bëhet më mirë se vende të tjera të BE-së. Në raportin që SIGMA publikoi për fushën e prokurimit publik, Shqipëria ka një vlerësim 81 nga 100, që është vlerësimi më i lartë i pikëve mesatare.

Këto janë për të thënë se çfarë nisim sot nuk është një kapitull i parë, por vazhdim kapitujsh. Shqipëria synon ta ngrejë administratën e prokurimit publik në një nivel të ri. Prokurimi të ketë administratën e vet të mirëfilltë. Krijimi i Operatorit të Blerjeve të Përqendruara ka dëshmuar në mënyrë spektakolare vlerën që ka ky synim i specializimit dhe konsolidimit të një administrate të përbashkët“, tha Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *