Të tjera

Shqiptarët “i besojnë” lekut, BSH: Depozitat në monedhën vendase rriten më shpejt se ato në euro

Banka e Shqipërisë, BSH, depozitat bankare, depozitat në lekë, depozitat në euro, monedha vendase, leku shqiptar, kursimet e shqiptarëve, sistemi bankar, rritja e depozitave, ekonomia shqiptare, tregu financiar, kursimet në banka, euro, lek, Shqipëri

Shqiptarët po kursejnë gjithnjë e më shumë para’ në banka, por ajo që bie në sy është orientimi në rritje drejt monedhës vendase. Depozitat e sektorit privat u zgjeruan me 11.6% në tremujorin e tretë të vitit, duke ruajtur të njëjtin ritëm rritjeje si në tre muajt e mëparshëm.


Sipas Bankës së Shqipërisë, kursimet në lekë po rriten më shpejt se ato në euro. Depozitat në monedhën vendase shënuan një zgjerim prej 14.1%, ndërsa ato në valutë me 9.2%. Kjo tregon se leku po fiton terren jo vetëm në përdorimin e përditshëm dhe në kreditim, por edhe në mënyrën se si qytetarët dhe bizneset zgjedhin të mbajnë kursimet e tyre.

Një tjetër zhvillim që spikat është kontributi i bizneseve. Depozitat e tyre u rritën me 18.4% krahasuar me një vit më parë, pothuajse dyfishin e ritmit të rritjes së kursimeve të individëve, të cilat u zgjeruan me 9.8%.

Kjo ecuri tregon se në sistemin bankar po qarkullon më shumë likuiditet, pra më shumë para të disponueshme. Megjithatë, jo të gjitha këto para janë të lidhura për periudha të gjata. Pjesa më e madhe e depozitave, rreth 57%, mbahen pa afat. Kjo do të thotë se qytetarët dhe bizneset preferojnë të kenë mundësi t’i përdorin paratë në çdo moment, në vend që t’i bllokojnë për një periudhë të caktuar.

Por rritja e kursimeve nuk shoqërohet me një rritje të ndjeshme të fitimit që marrin depozituesit nga bankat. Interesi mesatar për depozitat me afat në lekë ka mbetur në 1.7%, ndërsa për ato në euro është rritur lehtë, në 1.5%.

Pra, ndonëse shqiptarët po lënë gjithnjë e më shumë para në banka, shpërblimi nga kursimi mbetet modest. Ndërkohë, rritja e depozitave tregon se sistemi bankar vijon të ketë një bazë të qëndrueshme kursimesh dhe më shumë fonde në dispozicion për financimin e ekonomisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *