Kryesore Politike

Reforma zgjedhore, ndërkombëtarët kthejnë në tryezë PS e PD! Kërkojnë ndihmën e ekspertëve të ODIHR

Takimet e ambasadores së BE-së, De Sousa, dhe të kreut të Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Tarran, me dy bashkëkryetarët e reformës zgjedhore dhanë efektin.

Mazhoranca dhe opozita nisën realisht punën në komision, afati i të cilit përfundon vetëm pas dy javësh, më 30 nëntor.

Gjiknuri dhe Bylykbashi janë dakordësuar për të vijuar punën, me shpresën se do të arrihet një produkt i përbashkët.

Bylykbashi: T’u kërkojmë ekspertëve të ODIHR-it të vijnë dhe të jenë të pranishëm në punën e ekspertëve të komisionit, që të punojnë së bashku dhe të nxjerrin një produkt.

Gjiknuri: Jam dakord që draftet të vijnë sa më shpejt, që të fillojë puna, të kërkojmë ndihmën e ekspertëve të ODIHR-it.

Ndryshe nga java e kaluar, kur debatet u fokusuan te rendi i ditës, këtë herë PS-ja dhe PD-ja i miratuan të tria pikat.

Palët ranë dakord që, pasi PD-ja të depozitojë zyrtarisht draftin ligjor për ndryshimet në Kodin Zgjedhor sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, ekspertët e të dyja partive të nisin punën.

Ligji për financimin e partive politike, me dakordësinë e dy bashkëkryetarëve, do t’i dërgohet Komisionit të Venecias përmes Kuvendit për një opinion përfundimtar.

Puna, sipas dakordësisë së dy bashkëkryetarëve, pritet të nisë edhe për ndryshimet që imponohen për shkak të ndryshimit të hartës territoriale, tanimë me 46 bashki. PS-ja dhe PD-ja duhet të dakordësohen për formulën e zgjedhjes së këshilltarëve bashkiakë, ndonëse në propozimin fillestar opozita ka kërkuar lista 100% të hapura edhe për parlamentet vendore.

E në rast se komisioni nuk do të arrijë të dakordësojë një produkt brenda afatit të përcaktuar, mazhoranca do ta çojë e vetme në Kuvend, njësoj si me hartën territoriale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *