Parku Natyror i Syrit të Kaltër në Finiq është një magnet turistik, që nuk njeh stinë.
Burimi i Syrit të Kaltër është destinacioni i padiskutueshëm për këdo të huaj që viziton jugun e Shqipërisë. Të ardhur fillimisht pa pritshmëri të larta për atë çfarë do të gjenin, ky i ri nga Azia Qendrore së bashku me miqtë e tij është befasuar për mirë.
“Jam nga Uzbekistani, Azia Qendrore, është hera e parë këtu në Shqipëri, erdha të shoh ujin e kristaltë, ujin unik në botë… Pritshmëria ime përpara se të vija këtu në Shqipëri ishte pak e ulët, por pasi erdha këtu them që është një nga eksperiencat më të bukura që kam pasur”, tha një turist.
Përtej burimit magjepsës të Syrit të Kaltër, turistët kanë nisur të zbulojnë më shumë për natyrën e Malit të Gjerë, ndërsa çdo vit e më shumë harta gjeografike e turistëve sa vjen e zgjerohet.
Për këta të rinj Syri i Kaltër ka qenë një dashuri me shikim të parë dhe menjëherë e kanë vendosur në listën e sugjerimeve për miqtë e tyre.
“Ky vend është shumë i bukur, malet janë shumë të bukura dhe gjithë natyra është spektakolare, është hera e parë që vij… Jam nga Kolumbia, por jetoj në Francë, sapo kam ardhur, prej ditësh gjendem këtu, kam dëshirë të njoh vendin, të njoh kulturën. Jam shumë e lumtur që pata shansin të vij këtu, do ta përkufizoja si një vend magjik, nuk mund ta imagjinoja kaq bukur. Vërtet kisha pritshmërinë të shihja një parajsë këtu, por është shumë, shumë bukur. Miqve u dërgova video dhe foto nga ky vend, kisha shansin të provoja dhe ushqimin shqiptar dhe ishte perfekt, do të thoja që e dua këtë vend”, shtoi ai.
Parku Natyror i Syrit të Kaltër renditet në destinacionet më të vizituara në vendin tonë. Gjatë verës, numri i vizitorëve ditorë kap shifrën e 1000 personave, duke e kthyer kështu këtë destinacion lokal edhe në një pikë kyçe të ekonomisë lokale.
Edhe pse është mesi i nëntorit, në Syrin e Kaltër dhjetëra turistë shkojnë çdo ditë për ta vizituar.
