Një 40-vjeçar, i identifikuar si ish-truproje i Hamasit dhe djali i një zyrtari të lartë të organizatës, është shpallur fajtor në Britaninë e Madhe për sulmin me thikë ndaj një përmbaruesi gjyqësor në Birmingham.
Sipas gazetës britanike The Guardian, Mohammed Alfatih, i njohur edhe si Mohammed Naim, u shpall fajtor për plagosje të paligjshme, mbajtje të dy thikave dhe dëmtim të pronës. Ai u shpall i pafajshëm për akuzën më të rëndë të plagosjes me dashje.
Ngjarja ndodhi jashtë banesës së tij në Birmingham, ku gjatë një konflikti ai sulmoi me thikë përmbaruesin Kevin Bucknall, duke i shkaktuar plagë në kokë. Pamjet e paraqitura në gjykatë treguan 40-vjeçarin duke goditur një furgon dhe duke mbajtur dy thika të mëdha kuzhine.
Rasti merr rëndësi të veçantë pasi Alfatih kërkohet edhe nga autoritetet gjermane, të cilat e dyshojnë për përfshirje në një komplot terrorist kundër objektivave izraelite dhe hebraike në Gjermani dhe Austri.
Sipas hetimeve gjermane, ai dyshohet se kishte luajtur rol në transportimin dhe ruajtjen e armëve për një rrjet të lidhur me Hamasin. Prokurorët pretendojnë gjithashtu se kishte kontakte me drejtues të organizatës dhe kishte regjistruar një video për të marrë përgjegjësinë në emër të saj për një sulm të planifikuar.
Komploti i dyshuar ishte parandaluar nga shërbimet gjermane të inteligjencës, pas informacioneve të siguruara nga Mossad-i izraelit.
Një tjetër element shqetësues është se Alfatih ishte nën mbikëqyrjen e një njësie kundër terrorizmit në Britani dhe ishte liruar me kusht vetëm pak ditë përpara sulmit në Birmingham.
Ai kishte marrë azil në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2015 dhe shtetësi britanike në vitin 2020. Autoritetet gjermane kërkojnë ekstradimin e tij, ndërsa procedurat pritet të shqyrtohen pasi të përfundojë dënimin në Britani.
